UBT News

Haradinaj: Ta ndihmojmë Kurtin me mocion, ta shkarkojmë këtë qeveri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga opozita që të votojnë mocionin për shkarkimin e Qeverisë Kurti. Ai tha se dialogu dhe qeverisja në Kosovë janë në rrugë të gabuar.

Në seancë plenare, kreu i AAK-së u shpreh se askush nuk duhet të pret që kjo qeveri do ta nxjerrë Kosovën nga drejtimi humbës.

“Dialogu edhe qeverisja në Kosovë janë në rrugë të gabuar. Rrugë e cila po i shkakton humbje, po i sjell goditje Kosovës. Janë të shumta, i keni dëshmuar shumë prej jush, i thonë mediat por na i thonë edhe aleatët tanë. Tani nëse ne në parlament e shohim qeverinë tonë që e udhëheq vendin, në një drejtim të gabuar edhe i sjell goditje e humbje të njëpasnjëshme vendit, si të veprojmë ju lutem? Nëse dikush prej nesh ende shpreson që Kurti dhe qeveria Kurti do ta nxjerrë Kosovën nga drejtimi i gabuar, nga drejtimi humbës dhe nga sanksionet, jam i bindur se do të del gabim”, deklaroi Haradinaj.

Nëse opozita hesht, Haradinaj shtoi se bëhen bashkëpjesëmarrës i përkeqësimit të mëtejmë në vend.

“Është detyra e parlamentit që me nxjerr Kurtin edhe Qeverinë Kurti nga drejtimi i gabuar. Është detyrë e gjithë deputetëve, vetëm jo opozitar. Besoj që ne si parlament duhet t’i marrim përgjegjësitë, parlamenti e ka votuar këtë qeveri, qytetarët dhe ne që ja kemi dhënë besimin Qeverisë Kurti ju lus ta shqyrtoni a është në rregull të vazhdohet edhe një drejtim çfarë e kemi në vend, apo të gjithë ne ta ndihmojmë Kosovën, ta ndihmojmë Kurtin me mocion, ta shkarkojmë Qeverinë Kurti”, shtoi Haradinaj.

Në ditën kur Kosova ulet në tavolinën e bisedimeve si e ndëshkuar, siç u shpreh Haradinaj, duhet të jap alarmin që të bashkojnë votën për mocion mosbesimi.

Exit mobile version