UBT News

Haradinaj-Stublla jep dorëheqje nga posti i ministres dhe nga AAK

Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje nga posti i Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe nga të gjitha funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj-Stublla e ka konfirmuar lajmin përmes një shkrimi në Facebook, teksa u shpreh se dorëheqjen e konsideron obligim moral, pasi siç thotë ajo, ‘ndodhet në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linqimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit’.

“Këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi”, shkroi ajo mes tjerash.

Haradinaj-Stublla mes tjerash tha se nuk është sekret që Aleanca nuk ka qenë favorit për t’i fituar zgjedhjet, dhe ‘ky fakt ka alarmuar disa që mbijetesën politike e kanë luftë për ekzistencë’.

“Ata janë angazhuar që me çdo kusht të fitojnë betejën zgjedhore, pa zgjedhur mjet e as rrugë. Me çdo kusht kanë aderuar njerëz të padëshmuar e të panjohur për strukturat e partisë, për të ndërtuar projeksionet dhe aleancat e tyre për mirëmbajtjen e kontrollit dhe shantazhit përbrenda”, shkroi më tej ajo.

Ish-ministrja shkroi më tej se asnjëherë s’e ka menduar distancimin nga kjo parti, por thotë se është në paqe që po largohet nga ‘prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar’.

Ajo ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të ndriçojë rastin, meqë e konsideron inskenim një video-incizim ku pretendohet se bashkëshorti i saj ka manipuluar me vota për t’ia siguruar asaj një ulëse në Kuvend.

“Rinumërimi i disa kutive është një hap përpara, por jo determinues për zbulimin e të vërtetës së plotë, pasiqë gjeneza e problemit qëndron pikërisht tek pretendimet e parashtruara në këtë video-inskenim, e që jam e bindur se me zbardhjen e fakteve, do të rrënohen edhe SKEMAT PIRAMIDALE KRIMINALE, TË ORKESTRUARA NGA PARAPOLITIKA, E QË AKTIVIZOHEN SA HERË KA NEVOJË. Për këto arsye, dyshimet janë të bazuara që ka keqpërdorime edhe të kutive tjera, andaj KËRKOJ RINUMËRIM TOTAL. Faktet do t’i paraqes në organet kompetente”, shkroi ajo më tej.

Haradinaj-Stublla në zgjedhjet e 14 shkurtit mori 4 mijë e 424 vota./UBTNews

Exit mobile version