Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve me kusht në të gjitha komunat, si dhe votave dhe nga diaspora, për kandidatët e AAK-së.
Emri i saj është përmendur në media për shkak të një incizimi, ku thuhet se bashkëshorti i saj është përfshirë në një skandal për vjedhjen e votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Në Facebook ajo shkroi se e mirëpret këtë vendim të PZAP-së, dhe përsëriti me bindje të plotë që nuk janë të përfshirë në këtë skandal.
“Ky rinumërim është një hap përpara zbardhjes së incizimit të inskenuar që pretendon përfshirjen e bashkëshortit tim në vjedhjen e votave! Përseris, me bindje të plotë që as UNË, as BASHKËSHORTI, e ASNJË familjar e bashkëpunëtor i imi NUK është përfshirë në asnjë nga pretendimet publike që u bënë e po vazhdojnë të bëhen nga pseudo-portale të caktuara sipas porosive të caktuara, dhe t’i jepet fund shpifjeve, fyerjeve, dhe shantazheve në adresë timen dhe të familjes sime”, shkroi ajo.
Ajo ka kërkuar që të zbardhet njëherë e mirë ky rast./UBTNews