Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) në tubimin përmbyllës zgjedhor me simpatizantë të kësaj partie në Deçan, ka kërkuar nga qytetarët e kësaj komune që ta votojnë këtë parti për zhvillimin e vendit, për siguri, rend dhe ligj në Kosovë, siç theksuan me presidentin Ramush Haradinaj.
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se Aleanca ka rritje të votës në gjithë vendin, ku sipas të cilit më 14 shkurt do të jetë një referendum për AAK-në. Ish-kryeministri Haradinaj pati edhe një porosi për kundërshtarët politik.
“Këta që po kujtojnë që e dorëzojnë Aleancën duke u munduar me dërgu lajme çfarë po çojnë, po harrojnë kush jemi. Ata janë habitur na kanë përzier më dikë tjetër. Unë si president i Kosovës iu siguroj që kam me iu nderu me punë në Deçan, në Dukagjin dhe në gjithë Kosovën. Iu siguroj që kam me nderu sakrificën për liri brezë pas brezi, por kemi me nderu edhe ndihmën e aleatëve tanë. Kemi me lidhë Kosovën fort me ta. Më 14 është referendumi për Aleancën, referendum për Kosovën në NATO”, theksoi Haradinaj.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj nga vendlindja e tij ripërsëriti sërish idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe forcimin e miqësisë me ShBA-të dhe aleatët.
“Tash na u kanë shtuar pak punët, sepse ekonominë s’e kemi mirë, pandemia e ka rrëzuar ekonominë dhe na duhet një plan me njerëz që kanë përvojë dhe kanë dije për të ringjallë ekonominë, me fillu rritja ekonomike hapja e vendeve të punës me pako për biznese dhe të gjithë ata që janë aktivë në ekonomi. Çka tjetër kemi nevojë? Me konsolidu sigurinë, shtetin ligjor, me qenë një shtet i sigurt për të gjithë që nuk rrezikohet as nga brenda as nga jashtë dhe që nuk bëhen eksperimente në shtet. Ne Kosovën kemi për ta bërë shtet të sigurt që askush s’do të mund ta rrezikoj. Ne e kemi vetëm një rrugë me u lidhë më fort me Amerikën dhe aleatët tonë perëndimor për me hyrë në NATO. Ushtria jonë e gatshme me operua në bazë të kompetencave dhe mandatit që ka, që i bie se është koha reale që politikisht ne me krye punën tonë për me hy në NATO. Nëse deri në vitin 2024 kur ne i kemi kryer përgatitjet tona dhe nuk janë hequr pengesat tona politike që janë të sponsorizuara prej Serbisë dhe aleatëve të saj, jam i bindur që aleatët tonë do ta shqyrtojnë seriozisht edhe opsionin që e kam propozuar që ne me kalu në rrugën tjetër që është bashkimi në Union me Shqipërinë”, tha ai.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se takimi i sotëm përmbyllës i fushatës në këtë komunë do të kulumojë me fitoren e madhe të AAK të dielën, më 14 shkurt.
Ai tha se në shtatë komuna ku udhëheq Aleanca, nuk ka asnjë aferë korruptive. Madje, ai foli edhe për turizëm që pritet të bëhet Deçani qendër e Ballkanit.
“E ka thënë vet presidenti Ramush Haradinaj para një javë ditë kur ka qenë në Deçan që Deçani do të shndërrohet në kryeqendrën e turizmit jo vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin për turizëm. Fitorja jonë do të jetë zhvillim për komunën e Deçanit. Mos të harrojmë 135 është forcë për Kosovën, është dinjitet për atdheun dhe është zhvillim për këtë vend. E është e sigurt që është zhvillim për Komunën e Deçanit”, tha ai.
Aleanca në përmbyllje të fushatës zgjedhore në Deçan, ka prezantuar para simpatizantëve të shumtë kandidatët për deputetë nga Dukagjini.