Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Haradinaj ka thënë se me ambasadorin Malaj kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë, Shqipëri e rajon.
“Kënaqesi ta presim në takim njohës, Ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj. Duke i uruar mirëseardhje dhe punë të mbarë në Kosovë, me Ambasadorin Malaj diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe perspektivën euro-atlantike”, ka thënë Haradinaj pas takimit.
Haradinaj ka shtuar se Shqipëria gjithmonë ka luajtur rol konstruktiv në të gjitha fazat e lirisë dhe shtetndërtimit në Kosovë.
“Shqipëria gjithmonë ka luajtur rol konstruktiv duke qenë mbështetëse e pakursyer e Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe shtetndërtimit të saj”, është shprehur Haradinaj.