Aleanca e vlerëson të domosdoshëm lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi, thotë Ramush Haradinaj, kryetar i AAK’së.
‘Në pushtet apo në opozitë, për ne gjithëherë Kosova mbetet prioriteti kryesor. Në mbledhjen e Kryesisë së Aleancës, diskutuam për situatën politike e ekonomike në vend ashtu dhe për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme komunale”.
“Si parti opozitare, ne do të kryejmë obligimin tonë për çështjen e dialogut, ashtu siç jemi zotuar para qytetarëve të vendit, gjithnjë në mbrojtje të interesave nacionale. Në takimin e sotëm, ritheksuam domosdoshmërinë e rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces me shumë rëndësi për vendin tonë, prej te cilit presim njohje reciproke, me marrëveshje obligative ligjore, në kufijtë ekzistues, dhe paprekshmërinë e organizimit të brendshëm kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Sa i përket temave ekonomike, vlerësimi i ekspertëve tonë është se qeveria duhe të ndërrmarë veprime konkrete dhe të shpejta, në përkrahje të bizneseve, hapje të plotë të ekonomisë dhe vendime që ndalin thellimin e deficitit tregtar në vend, i cili çdo ditë e më shumë po thellohet.
“Shqetësimi jonë sot ishte edhe ndërprerja e paralajmëruar e memorandumeve për investime kapitale nëpër komuna, nga e cila do të pësojnë qytetarët e vendit. Përderisa janë ndarë 11 milionë euro për energjinë elektrike në veri, vendim ky i panevojshëm për shkak se tani më gëzojmë pavarësi energjetike, do të ishte gabim i madh i qeverisë nëse shkurtohen fondet për komunat”.
“Sa i përket organizimit të brendshëm të partisë, sot dëgjuam raportin se deri ku kanë arritur përgaditjet e Aleancës për zgjedhjet komunale:.
“Në ndërkohë, është afër finalizimit plani ynë qeverisës për komunat e Kosovës, i cili bazohet në nevojat e qytetarëve. Aleanca është e bindur për rezultat të mirë në këto zgjedhje dhe besojmë se vlerësimi i lartë për qeverisjen tonë komunale në Suharekë, Rahovec, Obiliq, Deçan, Junik, Gjakovë dhe Klinë, janë bazë e fortë për fitore në zgjedhjet e ardhshme”.
“Ne synojmë fitoren edhe në shumë komuna të tjera të Kosovës, ku kemi paraqitur kandidatura shumë serioze. Aleanca hyn në këto zgjedhje komunale, me një përfaqësim të ekuilibruar të politikanëve të mirë e me përvojë, ekspertëve, profesionistëve, nga grupmosha të ndryshme, por edhe me kuadro që sfidohen për herë të parë në garën zgjedhore”, thotë Haradinaj/ UBTNEWS.