Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot kujtoi Rexhep Malën e Nuhi Berishën në 39-vjetorin e vdekjes.
Haradinaj potencoi se Mala e Berisha janë shndërruar në shembullin më të mirë të dashurisë për atdheun.
“Në kërkim të lirisë, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, të parët u nisen me guxim, duke u vënë në ballë të rezistencës shqiptare. Me aktin e tyre heroik dëshmuan se është vetëm një rrugë, ajo e luftës për çlirim. Sot, në 39-vjetorin e rënies, i kujtojmë si heronj që u shndërruan në shembullin më të mirë të dashurisë për Atdheun, në motiv për ecje përpara deri në çlirimin e Kosovës. Lavdi e përjetshme!”, shkroi kreu i AAK-së në Facebook.
Ndërmjet 11 e 12 janarit 1984, Rexhep Mala, 33-vjeç, pa u bërë tetë muaj që ishte liruar nga burgu i rëndë nëntëvjeçar, bashkë me shokun e tij, Nuhi Berisha, i cili asokohe kishte qenë student 23-vjeçar dhe pjesëmarrës i demonstratave 1981, kanë rënë heroikisht në luftim me forcat serbe në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha kishin vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe guximin e duhur për të vepruar kundër regjimit të atëhershëm. Ata vlerësohen si dy nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative.