UBT News

Haradinaj refuzon ftesën e Kurtit për takim me liderët opozitarë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj iu përgjigj negativisht ftesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për takim në mëngjesin e së mërkurës për të diskutuar për projektin amerikan të gazit.

Mes tjerash Haradinaj theksoi se ‘politizimi dhe njollosja e projektit të gazit është skandaloz, po rrezikohet projekti më i rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik për Kosovën’.

“Në maj të vitit 2019, Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga unë si Kryeministër i vendit, miratoi propozimin për të përfituar nga granti i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe për të mbështetur zhvillimin e Programit Kompakt. Si rezultat, ne krijuam dhe mbështetëm një ekip ekspertësh vendor dhe me ç’rast nënshkrova marrëveshjen e Fondit të Zhvillimit Kompakt (CDF).Si rezultat, programi Kompakt u zhvillua në koordinim të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjencisë MCC dhe politikat e Qeverisë Amerikane, dhe pas shumë konsultimeve me të gjithë akterët në sektorin e energjisë, u identifikuan projekte brenda programit për mbështetje për të cilat janë kryer studime të para-fizibilitetit, siç janë:Zhvillimi i Sektorit të Gazit -Diversifikimi i Sektorit të Energjisë;Balancimi i Sistemit të Gjenerimit përmes krijimit të rezervave të energjisë për rrjetin e Transmisionit;Fuqizimi i Sektorit të Energjisë”, shkroi mes tjerash Haradinaj.

Kryetari i AAK-së i ka kërkuar shefit të Qeverisë që të distancohet nga deklaratat e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi lidhur me projektin e gazit.

“Nga ju Kryminister pres distancimin publik dhe thirrje në përgjegjësi të Zëvendëskryeministrit Bislimi, në të kundertën e vlerësoj që qendrimet e Zëvendëskryeministrit dhe të Kryeministrit janë në pajtushmëri të plotë. Prandaj, në keto rrethana kërkesën për një takim konsultativ e konsideroj si të panevojshëm”, shkroi Haradinaj./UBTNews

Exit mobile version