Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se heqja e masave ndaj produkteve të Serbisë, është koncesioni i radhës i kryeministrit Albin Kurti, i cili sipas tij popullit i shet propagandë e Serbisë i bën koncesione.
Haradinaj përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se Kurti bën koncesione pasi paraprakisht i bën dëme të rënda Kosovës.
“Dje, në mënyrë klandestine Kryeministri Kurti hoqi masat ndaj mallrave të Serbisë. Kjo ishte përsëritje e vendimit për heqjen e tarifës 100% që pata vendosur më 2018. Ky është koncesioni i radhës i Albin Kurtit, i cili popullit i shet propagandë e Serbisë i bën koncesione. Ai bën koncesione pasi paraprakisht i bën dëme të rënda Kosovës e pas koncesionit dëmi i mbetet Kosovës. Ai bëri koncesione të vonshme edhe për anëtarësim në Këshill të Evropës, por Kosova mori vetëm dëmin por jo anëtarësimin”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se koncesionin e djeshëm tentoi ta mbulojë me 20 euro lëmoshë për pensionistët.
“Koncesionin e djeshëm tentoi ta mbulojë me 20 euro lëmoshë për pensionistët, por si shoqëri e kemi obligim ta ballafaqojmë me propagandën e tij dhe dëmet që po i bën Kosovës. E thënë edhe më herët, Kurti nuk i shërben Kosovës”, është shprehur Haradinaj.