Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit, ka këmbëngulur se projekti i gazsjellësit është i vetmi opsion aktual për të krijuar edhe një burim alternativ të energjisë në Kosovë, duke kërkuar njëherësh edhe implementimin e këtij projekti.
Haradinaj pati disa pyetje për ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, teksa kërkoi nga qeveria listën e personave, siç tha ai, më të mençur që flasin për temën e energjisë.
“I vetmi opsion aktual për të krijuar edhe një burim alternativ për të diversifikuar energjinë në Kosovë është ky projekt, nuk kemi tjetër…E dëgjova ministren, foli e foli ministrja e re, e mençur, shumë e mirë, o ministre ti po flet për ekspertë, për ekspertizë, a bën me të pyet diçka? Ata që kanë punuar para teje, a krejt budalla kanë qenë, njerëz pa shkollë, mos bre ashtu, mos sepse edhe ata kanë kualifikime shkencore dhe dije”, tha ai.
“Shiko, kjo është një strategji e energjisë dhe këtë e ka punuar dikush. Lidhur me këtë është konstatuar se Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit. Në atë kohë ka qenë ideja, por ka dalë e parealizueshme dhe ju nuk po krijoni strategji të re të energjisë, ju merrni të arriturat e kësaj strategjie vazhdoni me një të re. A bën të na jepni listën se kush është më i mençuri i kësaj qeverie në temën e energjisë, sepse ju e keni listën që tjetër kush e ka punuar. Kush janë njerëzit e juaj që po punoni?”, shtoi ai.
Ministrja Rizvanolli nga ana e saj tha se të arriturat e strategjisë së kaluar “po shihen tani” ku nuk ka as eficiencë të energjisë dhe as kapacitete të reja gjeneruese.
“Nuk është refuzuar edhe një herë po e them, ndoshta do të bëhet, nëse bëhet do të bëhet pse është opsioni më i mirë për Kosovën dhe kur ta kemi të qartë këtë, e nëse nuk bëhet atëherë do t’i kemi opsionet e tjera të cilat do ta na tregojë strategjia. Pse po e refuzoni pa studim? Unë nuk di si ta them ndryshe që pikërisht arsyeja pse është shtyrë ky vendim është se studimet janë në proces. A kanë qenë njerëzit e kualifikuar që kanë punuar deri tani në atë studim, kanë qenë super të kualifikuar” tha ajo.
“Problemi është, mangësia është që studimi ka qenë shumë i fokusuar në anën teknike deri në atë masë që është optimizuar traseja nga do të kalonte gazsjellësi, mirëpo nga ana e fizibilitetit ekonomik dhe financiar nuk ka pasur informata të mjaftueshme. Fatkeqësisht, askush duket se nuk i ka bërë në qeveritë e kaluara këto pyetje, sa do të kushton projekti? Kur kam ardhur në ditën e parë në takimin me ekipin e MCC-së, kur i kam thënë sa kushton ky projekt që jeni duke propozuar momentalisht, nuk kanë pasur këtë shifër në mendje, por është dashur të fillohet me kalkulime. Kjo për mua është shqetësuese”, tha Rizvanolli.
Ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar serish kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka lexuar pjesë nga strategjia e energjisë, për çka tha se është viti 2017 kur është hulumtuar e provuar të arrihet te gazi.