Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka kujtuar heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, në 41 vjetorin e vrasjes së tyre.
Haradinaj ka potencuar se 17 janari i lidhë tre viganët e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, me Gjergj Kastriotin, në të njëjtën nyje – flijimin për atdhe.
“Sot përkujtojmë dy ngjarje në dy periudha të ndryshme, me personazhe që kanë pasur një qëllim, mbrojtjen e Shqipërisë. Zemra e themeltarit të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pushoi së rrahuri më 17 janar 1468. Gjenerali që është frymëzim për secilin shqiptar e trashëgimia e së cilit frymëzoi përpjekjet tona për liri përgjatë shekujve. Po ashtu, sot kujtojmë heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, që ranë po më 17 janar, 41 vjet më parë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, duk shtuar se vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë qenë ideatorë të lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi, që kanë bashkuar dhe prirë shqiptarët drejt çlirimit, deri në frymën e tyre të fundit.
“Ata ranë, por lanë trashëgim te mijëra të tjerë, planet e lirisë. Ata ishin arkitektët e saj”, ka shtuar Haradinaj.
Më 17 janar të vitit 1982 janë vrarë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Ndonëse, kanë kaluar 41 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.