Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe me drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, ka thënë se sulmi në veri ishte terrorizëm i pastër dhe sipas tij rreziku vazhdon edhe më tutje.
Haradinaj tha se biseda me presidenten Osmani ishte kryesisht lidhur me zhvillimet e sigurisë të ditës së diel, ku si pasojë e këtij sulmi terrorist u vra oficeri i policisë, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
“Është e logjikshme që të bashkëbisedohet në situata të tilla të sigurisë për shkak se rreziku për sigurinë në Kosovë vazhdon edhe më tutje. Pra, është prezent rreziku. Institucionet e sigurisë në Kosovë kanë bërë punën më të mirë dhe të suksesshme, I përgëzoj për punë të gjithë, por duhet të bëjmë kujdes që vendimmarrësit politik ta kryejnë punën e vet me sukses. Kështu që përballja me rreziqet sigurisë nuk bëhet duke e bartë krejt përgjegjësinë vetëm te profesionistët. Duhet ndihma politike dhe kurs politik, i besueshëm me aleatët e sigurisë”, tha ai.
Ish-kryeministri Haradinaj ka kërkuar hetim ndërkombëtar për sulmet terroriste në veri.
“Është mjaft me interes që në nivel të ShBA-së dhe BE-së të zhvillohet një hetim, edhe të vërtetohet që Serbia është prapa këtij sulmi meqenëse dihet botërisht, por të vërtetohet nga hetues ndërkombëtar në mënyrë që të gjykohen ata që po e rrezikojnë rajonin me vepra dhe sulme terroriste”, theksoi Haradinaj.
Në takime të ndara sot presidentja Osmani ka takuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili pas takimit, ka shkruar në Facebook se është informuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe për angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë ditës së diel në Banjskë.