Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka shprehur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me qëndrimin e tij ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ish-kryeministri e konsideron lavdërimin e Kurtit për KEK-un si “të çuditshëm dhe krejt të pakuptimtë”.
“Sikur të mos ishte tragjike, do të ishte komike”, shkruan Haradinaj në një postim në Facebook.
Ai sugjeron se Kurti po u drejtohet “përfituesve të mëdhenj të KEK-ut” në vend të punëtorëve të kompanisë. Haradinaj akuzon qeverinë për mungesë transparence në lidhje me importin e energjisë elektrike, duke kërkuar sqarime për shumat e shpenzuara dhe furnizuesit.
Lideri i opozitës shton se refuzimi i gazit amerikan dhe anulimi i projektit Kosova C, si dhe shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarët, do të kenë pasoja.
“Kosovës i mbetet që edhe këtë dimër të lutet që do të jetë dimër i butë dhe të ketë rrymë të mjaftueshme dhe çmim të lirë në treg”, paralajmëron Haradinaj, duke shprehur shqetësimin për situatën energjetike në vend.