UBT News

​Haradinaj nderon heronjtë Rexhep Mala e Nuhi Berisha në 40-vjetorin e rënies

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Gjilan, në kujtim e nderim të heronjve të kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, si dhe vizitoi familjet e tyre në 40-vjetorin e rënies heroike.

Haradinaj ka thënë se lagjja “Kodra e Trimave” në Prishtinë mban këtë emër në saje të trimërisë, të guximit e të gatishmërisë për sakrificës së Rexhës e Nuhiut, të cilët ishin vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e atdheut.

“Këto dy figura të ndritura, ishin përveç motiv për vazhdimësi dhe organizime të tjera e të shumta, ishin edhe paralajmëruesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila e solli lirinë. Emrat e tyre si dhe jeta e vepra e tyre, është pasuri për historinë tonë të lavdishme”, ka shkruar ai.

Haradinaj me kolegë gjithashtu vizituan kazermën e Ushtrisë së Kosovës në Gjilan, ku u njoftuan me punën dhe të arriturat.

“Të impresionuar, me energjinë e vitalitetin që posedon ushtria jonë! Të motivuar nga trimëria dhe guximi i heronjve si Nuhiu e Rexhepi dhe e kaluara e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërmjet 11 e 12 janarit 1984, Rexhep Malaj 33-vjeç, bashkë me shokun e tij Nuhi Berisha, i cili asokohe ishte student 23-vjeç dhe pjesëmarrës i demonstratave 1981, ranë heroikisht në luftim me forcat serbe në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.

Exit mobile version