Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ndërprerë fjalimin e tij në seancën e sotme plenare, derisa është duke folur për çështjen e grevave.
Ai është përplasur me ministrin e Financave, Hekuran Murati, meqë ky i fundit e pengoi gjatë fjalimit të tij. Për këtë ka reaguar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Ndërkaq, Haradinaj teksa u largua nga foltorja i tha Murati ‘urdhëro në foltore”.
Në deklarimin jashtë rendit të ditës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se mësimdhënësit e Kosovës nuk kanë qëndruar këto pesë javë prej “qefit” në shtëpi.
“A beson dikush që ata mësimdhënës prej qefit kanë ndejt në shtëpi, e i kanë lënë edhe fëmijët e vet në shtëpi e nuk kanë shkuar të japin mësim. A ka dikush që e beson këtë? Kjo pyetje besoj e dëshiron një përgjigje të drejtë. Tjetra, nga viti 2018 pagat nuk janë rritur. Prej atëherë vazhdon intensivisht të shtrenjtohet jeta. Jo vetëm për mësuesin dhe cilindo të punësuar në sektor publik por edhe sektor privat. Janë shtrenjtuar produktet bazë, ushqimi. Hajde në foltore, urdhëro në foltore”, ka thënë Haradinaj.
Më pas, ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili i ka reaguar ministrit Hekuran Murati.
“Ministër, nëse ka mundësi të mos i ndërhyni deputetëve. Kur është fjala e deputetëve, ju lutem që secili deputet e ka të drejtën e tij, e po ashtu edhe ministrat e kanë të drejtën e tyre kur t’ ju vie radha”, ka thënë Konjufca.
Kryeparlamentari e ka pyetur sërish Haradinaj nëse dëshiron ta vazhdojë fjalën, por kryetari i AAK-së nuk është kthyer sërish në foltore.