Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbi 11 për qind të ushtarëve janë larguar nga FSK në vitin 2023 dhe 2024. Ai ka thënë se kjo është alarmante dhe i ka ftuar ata të qëndrojnë sepse premton se do ta ndryshojë gjendjen.
“Mbi 11 për qind e ushtarëve lëshuan FSK-në vetëm në 2023 dhe 2024. Kjo është alarmante. I ftoj të qëndrojnë, sepse ne do ta ndryshojmë gjendjen”, tha ai mes tjerash.
Haradinaj ka thënë se në vitin 2023 FSK-në e kanë lëshuar 257 pjesëtarë, e gjatë këtij viti 200 prej tyre. Ai ka shtuar se ata si arsye kanë përmendur kushtet e rënda financiare dhe pagat e pamjaftueshme.
“Në vitin 2023, numri i pjesëtarëve që e kanë lëshuar FSK-në është 257! Në vitin 2024, ka kaluar numri prej 200. I fundit nga ta më 19 shtator 2024. Shumica nga ta përmendin kushtet e vështira financiare dhe pagat e pamjaftueshme në arsyetimin pse lëshojnë Ushtrinë”.
Haradinaj ka thënë se është i shqetësuar “me trajtimin katastrofal” që Qeveria po i bën ushtrisë sonë.
“Edhe pas 4 viteve të kësaj qeverie, numri i pjesëtarëve të uniformuar është nën 4.000, ndërsa forca rezervë e FSK-së është harruar pothuajse plotësisht. Jam i shqetësuar seriozisht me këtë trajtim katastrofal që Qeveria po i bën Ushtrisë sonë, të cilën me shumë mund kemi arritur ta mandatojmë më 2018. Ftoj rininë t’i bashkohen FSK-së dhe ftoj pjesëtarët të qëndrojnë aty.”
Ai ka premtuar se paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro.
“Ne do ta përmirësojmë me urgjencë gjendjen e tyre financiare dhe kushtet elementare të punës. Qysh në muajt e parë të Qeverisë së re, paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro”.