UBT News

Haradinaj: Masakra e Likoshanit dhe Qirezit mobilizoi shqiptarët për luftë ndaj armikut

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar sot masakrën në Likoshan dhe Qirez, të kryer në vitin 1998 nga forcat serbe.

Haradinaj ka potencuar se masakra e Likoshanit dhe Qirezit ka nxitur edhe më shumë rezistencën dhe ka mobilizuar edhe më shumë shqiptarët për luftë ndaj armikut deri në çlirim.

“Më 28 shkurt 1998, të nxitur nga humbjet e mëdha që pësuan nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Likoshan e Qirez, forcat serbe u hakmorrën duke vrarë barbarisht gra, pleq, fëmijë e të rinj të paarmatosur.Kjo masakër nga policia dhe ushtria serbe shënon fillimin e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës, spastrimin etnik si dhe djegien dhe shkatërrimit të pasurisë së tyre. Masakra e Likoshanit dhe Qirezit nxiti edhe më shumë rezistencën dhe mobilizoi edhe më shumë shqiptarët për luftë ndaj armikut deri në çlirim. Nderim përjetë të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndryshe, sot bëhen 25 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila ka nisuyr në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” janë zhvilluar luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe. Në luftimet e zhvilluara kanë mbetur të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut kanë rrethuar të dy fshatrat, ku janë ekzekutuar 24 civilë të pafajshëm.

Exit mobile version