Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Haradinaj tha se në atë takim ka ripërsëritur qëndrimin për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Haradinajt.
Në këtë takim, kryetari i AAK-së ka ritheksuar nevojën e konstituimit të institucioneve të reja sa më shpejt.
“Bashkërisht vlerësuam zgjedhjet e 14 shkurtit si fitore për demokracinë dhe theksuam nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, në afat sa më të shpejt. Z. Lajčak e falënderova për angazhimin e tij dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces të rëndësishëm për vendin tonë”, thuhet më tej.
Lajçak sot gjatë ditës ka pritur në takim edhe liderë të tjerë politik e institucionalë./UBTNews