Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka bërë thirrje për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të zgjidhur çështjen e pagave të bllokuara në sektorin publik.
Haradinaj e konsideron situatën aktuale si shkelje të rëndë të drejtave të njeriut.
“Situata e krijuar me mosrealizimin e pagave për sektorin publik, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe shpërfillje e skajshme e mijëra punëtorëve të këtij sektori,” deklaroi Haradinaj në një postim në Facebook.
Ai theksoi se zgjidhja e vetme është amandamentimi i Ligjit për shërbyesit civilë përmes një seance urgjente parlamentare.
Lideri i AAK-së paralajmëroi se partia e tij do të kërkojë menjëherë thirrjen e kësaj seance. Sipas tij, çdo përpjekje tjetër për të zgjidhur situatën do të përbënte jo vetëm shkelje ligjore, por edhe keqpërdorim të së drejtës së mbi 80 mijë punonjësve për të marrë pagat e tyre.
Haradinaj e konsideron këtë çështje si urgjente që kërkon veprim të menjëhershëm nga institucionet.