UBT News

Haradinaj: Kurti po rrezikon marrëdhëniet me partnerët strategjikë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti po i rrezikon marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Kosovës.

Ai ka thënë se qeveria po vazhdon të mbajë të bllokuar projektin amerikan të gazsjellësit dhe sipas tij në këtë mënyrë po rrezikohet siguria e vendit.

“Jemi po ashtu të shqetësuar që qeveria po vazhdon të mbajë të bllokuar gazsjellësin Shkup-Prishtinë një projekt ky amerikan përderisa e tërë Evropa po kalon nga gazi rus në atë të lëngshëm amerikan, veçanërisht pas takimit të presidentit Biden me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyer. Jemi të shqetësuar që kryeministri po e bllokon jo vetëm një gazsjellës por po e bllokon një projekt amerikan dhe me këtë vendim të tij po i rrezikon marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Kosovës. Nuk e dimë se a është i vetëdijshëm kryeministri që me këto veprime ai po e rrezikon sigurinë e vendit. Refuzimi i një projekti strategjik amerikan e bie më afër Rusinë dhe Serbinë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për zhvillimet e sotme për çka ka thënë se qeveria e ka penguar Kuvendin të votojë formimin e një komisioni hetimor për çështjet e energjisë.

Ai ka përsëritur qëndrimin e grupit të AAK-së për mospjesëmarrje në votim deri në themelimin e këtij komisioni.

Gjithashtu ai ka folur edhe për ligjin e pagave për çka ka përsëritur se paga minimale duhet të jetë 370 euro neto dhe se të gjitha pagat dhe pensionet duhet të rriten për 30 për qind.

Exit mobile version