Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se ai e mbështet shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas shkarkimit ose dorëheqjes së kryeministrit. Haradinaj ka thënë se kryeministrit Kurti si duket po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet.
“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S’ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se AAK e mbështet shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes ose shkarkimit të kryeministrit.
“Sidoqoftë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, ka përfunduar Haradinaj.