Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti “po qëndron kundërligjshëm në këtë pozitë”.
“Kemi bërë diçka shumë më shumë se sa vetë edhe zotëri Kurti në të kaluarën që ka ofruar për kryetaren e Kuvendit. Pra, është më e rëndësishme për zotëri Kurtin, Albulena në këtë rast, se sa konstituimi i Kuvendit. Mendoj që kemi qeveri kundërligjshëm, një njeri që i mban dy pozita edhe vjen deputet edhe ushtron rolin e kryeministrit është e kundërligjshme, gabim është çfarë po ndodhë po çfarë të bëjmë”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj tha se e vlerëson deputeten Albulena Haxhiu, por qëndrimi i tyre është i njëjtë.
”Ne kemi ofruar propozimin para se të nominohet zonja Haxhiu. Kush e mban mend seancën e parë, të datës 15, ne kemi thënë që jemi të gatshëm të votojmë dy kandidatet. Me kalimin e kohës kjo është bllokuar në pozicionin e zonjës Haxhiu, por personalisht unë e vlerësoj edhe si njeri edhe si familje, por ne e kemi bërë një ofertë dhe i qëndrojmë asaj oferte. Ne jemi të gatshëm sot të votojmë nëse e ndërrojnë emrin e kandidatit”, shtoi ai.