Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj tha se e gjithë Kosova është lodhur nga situata aktuale. Ai deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti me vetëdije po e mban situatën peng, siç shtoi ai, nuk ka arsye tjetër që të mbahet 48 herë seancë për konstituim të Kuvendit.
Para fillimit të seancës, ai iu tha mediave se nuk pret ndonjë ndryshim për ditën e sotme.
“Unë mendoj që jo vetëm protestuesit që janë këtu, por mendoj që e gjithë Kosova është lodhur me këtë situatë dhe ne po i përsërisim fjalët e njëjta. Kemi dhënë një ofertë, jemi të gatshëm që të votojmë në rast se do të ketë një mirëkuptim ndryshimi të emrit, të kandidatit. Në rast se jo, do të mbesim kështu edhe fatkeqësisht edhe një kohë por unë prapë besoj që me vetëdije zotëri Kurti po e mban këtë situatë peng sepse nuk shoh arsye tjetër, pse duhet me ardh 48 herë me të njëjtin kandidat kur dihet botërisht që nuk janë numrat”, u shpreh ai.
Haradinaj shtoi se do ta shqyrtojnë ftesën e kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili ka paralajmëruar se do i ftojë partitë politike për takim.
“Nuk e shoh se cila do të jetë ajo marrëveshje përpos asaj që po qarkullon mes Nisma-s dhe LVV-së por sido që të jetë duhet me pa se çfarë do ndodhë. Nuk e di se çfarë pozicioni ka nëse Limaj i fton në takim partitë, që do t’i fton por do ta shohim, deri tash nuk kemi marrë ndonjë ftesë, por do ta shohim shqyrtojmë dhe do ta japim përgjigjen në kohë”, shtoi Haradinaj.