Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se i pari i qeverisë, Albin Kurti, sot ka vetëm një rrugë, e që, siç tha ai, është bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka hedhur kritika ndaj kryeministrit Kurti, duke e bërë përgjegjës për situatën në vend, pas vendimit të këtij të fundit për targa.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se veprimet e Kurtit në raport me situatën e krijuar në vend, gjatë këtyre ditëve, kanë qenë të rrezikshme.
“Gjendja është kjo që është. Albin Kurti sot e ka vetëm një rrugë, që është bashkëpunimi i ngushtë e pa kushte me partnerët tanë, posaçërisht me SHBA. Dhe këtë duhet ta bëjë jo për vete dhe qeverinë e tij, por për vendin, siguria e të cilit sot është më e rrezikuar se asnjëherë më parë. Sjellja dhe veprimet e kryeministrit të Kosovës, në raport me situatën e krijuar në vend, gjatë gjithë këtyre ditëve, ka qenë jo vetëm e pakuptueshme por edhe e rrezikshme”, ka shkruar ai.
Sipas tij, mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit.
“Kemi ardhur në një situatë që do të mund të rrezikonim jetët e qytetarëve të Kosovës por edhe të policëve. E gjithë kjo, për arsye krejt të paqëndrueshme, për ta kthyer situatën e para një muaji, ku kursi i gabuar që kishte zgjedhur Kryeministri, ka shkaktuar dëme të mëdha, duke asgjësuar një punë të jashtëzakonshme që ishte bërë gjatë gjithë këtyre viteve për integrimin e serbëve në institucionet e vendit”, vijoi ai.
Haradinaj ka shtuar se është i shqetësuar që Kosova në sytë e botës është shndërruar nga viktimë, në fajtore.
“E kuptoj sjelljen e plot kundërshtarëve politikë të Kryeministrit që i gëzohen fundosjes politike të tij, por unë jam i shqetësuar, jo për dështimin e Kryeministrit, por për dështimin e të gjithë neve si Kosovë. Jam tejet i shqetësuar me faktin se sot në sytë e BE dhe të SHBA, Kosova nga viktimë është shndërruar në fajtor për situatën e krijuar, ndërsa Serbia është shndërruar në partner konstruktiv. Fajtori i vetëm për këtë gjendje të krijuar e ka vetëm një emër, e ai është Albin Kurti… Gjendja është kjo që është. Albin Kurti sot e ka vetëm një rrugë, që është bashkëpunimi i ngushtë e pa kushte me partnerët tanë, posaçërisht me SHBA. Dhe këtë duhet ta bëjë jo për vete dhe qeverinë e tij, por për vendin, siguria e të cilit sot është më e rrezikuar se asnjëherë më parë”, ka shkruar Haradinaj.