UBT News

​Haradinaj: Kurti bëri hapin e duhur me pranimin e propozimit të ndërkombëtarëve

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se pranimi i planit të BE-së nga kryeministri i vendit, Albin Kurti është i duhur.

Sipas tij, pas kësaj BE-ja duhet t’i heq sanksionet ndaj Kosovës.

“Dje Kosova ka bërë një hap të madh përpara, kryeministri Kurti me pranimin e propozimit të pesëshes e ka vendosur Kosovën në pozicionin e duhur pas një kohe të gjatë të humbur. Me zhvillimet e djeshme BE-ja duhet t’i heqë sanksionet ndaj Kosovës, menjëherë. Pra, Qeveria ka shprehur gatishmërinë të zbatojë dokumentin që ka sjell pesëshja. Është e pakuptimtë të vazhdohet me sanksione ndaj Kosovës”, tha Haradinaj.

Ai i ka bërë thirrje Kurtit që në etapat tjera të veprojë ngushtë, në koordinim me aleatët e sigurisë, duke shfrytëzuar ditën e djeshme për avancimin në NATO.

“Plani franko-gjerman, udhërrëfyesi i Ohrit, edhe obligimet e marra janë konfirmuar dje me gatishmëri për zbatim. Lus BE-në që të mos ketë dilema që të rikthejë fuqishëm liberalizimin e vizave. Bëjë thirrje kryeministrit Kurti që në etapat tjera të veprojë ngushtë në koordinim me aleatët tanë. Ta shfrytëzojë ditën e djeshme për avancim në NATO. Njëkohësisht bëj thirrje që të respektojë popullin e Kosovës, të zgjedhurit e popullit, të vijë në parlament dhe të shpjegon për gjithë rrugëtimin e dialogut. Për mua dita e djeshme është hap përpara për Kosovën”, shtoi Haradinaj.

Mes tjerash, Haradinaj u shpreh i lumtur që Parlamenti Evropian “ka miratuar një rezolutë përmes së cilës e ka adresuar sulmin terrorist”.

Seanca ka përfunduar me deklarimet e shefave dhe kryetarëve të partive opozitare, ndërkaq kryeparlamentari, Glauk Konjufca, bëri të ditur se të hënën mbahet mbledhja e kryesisë ku do të vendoset për seancat e ardhshme.

Exit mobile version