UBT News

Haradinaj kujton viktimat e Masakrës së Poklekut në 26-vjetorin e saj

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar viktimat e Masakrës së Poklekut nga forcat serbe, duke shënuar 26-vjetorin e saj.

Ai ka përkujtuar tragjedinë që ndodhi më 17 prill 1999, kur mbi 54 anëtarë të familjeve Muqolli dhe Elshani u masakruan barbarisht nga forcat serbe në Poklek të Drenicës, shumica prej të cilëve ishin gra, pleq dhe fëmijë të pafajshëm. Po në të njëjtën ditë, në Çikatovë, forcat serbe ekzekutuan 24 civilë shqiptarë pa mëshirë.

Haradinaj theksoi se, edhe pas 26 vjetësh, mungesa e drejtësisë vazhdon të mbetet një plagë e hapur. Ai shtoi se, pavarësisht kësaj, kujtimi për ata që humbën jetën në këtë masakër nuk mund të zbehet. “Drejtësia ende mungon, por ajo nuk e zbeh kurrë kujtimin për ata që u shuan nga regjimi serb, në përpjekje për të zhdukur ekzistencën tonë si popull. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!”, përfundoi Haradinaj.

Exit mobile version