Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka kujtuar Enver Malokun në 24-vjetorin e vdekjes.
Haradinaj ka theksuar se roli i Malokut në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm.
“24 vite pa Enver Malokun. Aktivistin dhe gazetarin Enver Maloku, do e kujtojmë gjithmonë si një nga intelektualët e parë që iu bashkua lëvizjes për liri. Si një atdhedashës që ishte, dha gjithçka për lirinë e fjalës, për popullin e Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Enver Malokun!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sot janë bërë 24 vjet nga vrasja e veprimtarit të LDK-së, Enver Maloku. Ai ka qenë kreu i Qendrës Informative të Kosovës, i cili është vrarë më 11 janar 1999, në një kohë kur situata ka qenë mjaft e rënduar nga lufta. Për nder të veprimtarisë së tij të pashoq, shumë rrugë e shkolla në Kosovë e mbajnë emrin “Enver Maloku”.