Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar betejën e Marecit dhe masakrën e Makocit.
Ai ka theksuar se sakrifica e të rënëve është gjithëherë motivim për ta dashur atdheun e për ta ruajtur lirinë.
“Sot, në përvjetorin e Betejës së Marecit dhe masakrës në Makoc, Prishtina shënon Ditën e Dëshmorëve. Në këtë ditë kujtojmë dhe nderojmë trimërinë, vendosmërinë e sakrificën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare, të Brigadës 153 Hyzri Talla, gueriljes BIA, si dhe gjithë dëshmorët e martirët! Prilli i vitit 1999 për shumë familje të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugë për t’i shpëtuar masakrave nga armiku, u shndërrua në ditë krimi të paparë. Ushtria, policia dhe paramilitarët serbë në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan mbi 124 civilë të pafajshëm, duke mos kursyer fëmijë, vajza, djem, gra e pleq”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ditët e 17,18,19, 20 dhe 21 prillit të vitit 1999, për shumë familje dhe qytetarë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, për shumëkënd ishin shndërruar në ditë tmerri e krimi të paparë.
Ushtria, policia dhe paramilitarët serbë në pritën që u kishin bërë, kishin vrarë dhe masakruar më se 124 qytetarë, në mesin e tyre fëmijë, vajza, djem, gra e pleq.