UBT News

Haradinaj kritikon Vetëvendosjen për qasjen ndaj dialogut

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Kosova pret nga fituesit e zgjedhjeve krijimin sa më shpejt të institucioneve të Kosovës, si dhe dialogun e brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Në një postim në Facebook, i pari i AAK-së ka kritikuar Vetëvendosjen për qasjen ndaj dialogut si dhe për futjen në garë në zgjedhjet në Shqipëri.

“Kosova sot, prej fituesve të rinj të zgjedhjeve pret krijimin sa më shpejt të institucioneve dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga Kushtetuta, duke përfshirë këtu dialogun e brendshëm dhe të jashtëm, që të vetmin përcaktim ka ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit të vendit e karakterit unitar të shtetit. Dialogu i brendshëm vetëm me përfaqësues minorë e pa ndonjë fuqi elektorale të serbëve nga pjesa qëndrore e Kosovës, jo vetëm se mund të jetë selektiv, por edhe sinjal i keq për karakterin unitar të Shtetit. E konsideroj poashtu të parakohshme ngutjen për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe druaj se, në mos për vetë pjesëmarësit në këto zgjedhje, të tjerët do ta shohin si një hile dhe mundësi për të rikthyer skenarë të vjetër për ndarje”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Sipas Haradinaj, kjo mund të konsiderohet si një lloj pafuqie për t’u përballur me integrimin e patjetërsueshëm të veriut të vendit./UBTNews

Exit mobile version