Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, përmes një konference për media, deklaroi se institucionet e Kosovës nuk mund t’i vendosin afate KFOR-it për heqjen e barrikadave në veri. Haradinaj fajësoi edhe institucionet e Kosovës për veprime të pamatura që, sipas tij, e kanë përkeqësuar situatën në veri.
“Situata në veri po bëhet gjithnjë e më serioze dhe më e komplikuar, platforma luftënxitëse e Vuçiqit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri dhe i kalon vijat e kuqe. Ai duhet urgjentisht t’i tërheq njerëzit e tij nga veriu dhe të urdhërojë heqjen e barrikadave e t’i kthehet tryezës së bisedimeve. Ai nuk mund ta sfidojë Kosovën e përcaktuar për paqe. Logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë për marrëveshjen e ndërsjellë në raport për njohjen e ndërsjellë, në raport me Kosovën është kapitull i mbyllur që në vitin 1999”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj tha se e ardhmja e Kosovës është e lidhur përjetësisht me aleatët perëndimorë, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, prandaj kërkoi nga institucionet që të mos i trajtojnë partnrët si palë.
“Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR në Kosovë, nuk është palë, prandaj nuk mund të konsiderohet si i tillë. Nuk mund t’i vendoset kurrfarë afatesh apo kushtesh KFOR-it. Misioni i tyre në Kosovë është i qartë dhe i pastër si loti. Palë në Kosovë nuk janë as Uashingtoni e as Brukseli, at janë aleatë të paqes e të sigurisë në Kosovë dhe kryeministri duhet të heqë dorë nga retorika kundërshtuese e kërcënuese ndaj tyre”, vijoi Haradinaj.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pati edhe një kërkesë për serbët e Kosovës.
“Mos të bien pre e kalkulimeve politike të askujt e as të Vuçiqit. Të mos bëjnë dëm kolateral, e ardhmja e tyre është në Kosovë, është në paqe e në harmoni, me të gjithë të tjerët prandaj largohuni nga barrikadat… Barrikadat sot janë vetëm interes i Putinit dhe jo i serbëve apo shqiptarëve”, tha Haradinaj.
Haradinaj akuzoi Kurtin për veprime të pamatura dhe përkeqësim të situatës, duke thënë se ka një marrëdhënie mosbesuese ndaj qeverisë së drejtuar prej tij dhe aleatëve ndërkombëtarë.
“Ka një marrëdhënie mosbesuese mes institucioneve të Kosovës dhe aleatëve tanë. Kjo marrëdhënie mosbesuese këta tre muaj e fundit është përkeqësuar… I bëj thirrje kryeministrit të mos bëhet praktikë vepruese ndaj KFOR dhe ndaj Amerikës sikur ata janë palë ose pjesë e problemit. Ata janë aleatë, me ata duet kthyer besimin dhe në bashkëveprim me të kryhen detyra që i ka Qeveria e Kosovës”, përfundoi Haradinaj.