UBT News

Haradinaj: Kosova të mbyll të hënën marrëveshjen me Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet të mbyllet të hënën në takimin e Brukselit.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka thënë se Kosova mund të ndihmojë koalicionin global kundër Rusisë duke e pranuar planin franko-gjerman.

Sipas tij, me pranimin e këtij plani, Kosova ecë përpara edhe në planin e sigurisë me Partneritetin për Paqe dhe NATO-n.

“I vetmi vend besoj në botë që nuk i gëzohet arritjes së marrëveshjes është Rusia, Rusia nuk ka asnjë interes që të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi, përkundrazi, ata kanë dëshirë me mbet kjo çështje e hapur edhe potenciale çdo herë qoftë për çrregullim ose destabilizim, qoftë për një debat të vazhdueshëm politik rreth Kosovës, stories së Kosovës. Si mund të veprojë Kosova, mundet të hënën me mbyll marrëveshjen, pra me mbyll jo vetëm me dhënë sinjale pozitive por me mbyll marrëveshjen”, ka thënë ai Haradinaj.

Sipas Haradinajt, Kosova mund të shtojë në këtë marrëveshje edhe një komponentë, atë financiare dhe ekonomike.

“Besoj shumë që është një moment i mirë meqë është propozimi për marrëveshjen që kryeministri dhe qeveria e Kosovës t’i kërkojë Amerikës dhe BE-së edhe ndihmë financiare edhe investime por edhe përkrahje ekonomike për të zbatuar më tutje jo vetëm rendin dhe ligjin në veri por edhe zhvillimin ekonomik por pa rrjedhje të vazhdueshme buxhetore për Kosovën. Pra të mos e bartë Kosova dhe buxheti i Kosovës gjithë aspektin financiar dhe ekonomik jo vetëm për veri por lidhur me veriun”, ka shtuar ai. 

Exit mobile version