Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar që në këtë 15-vjetor të pavarësisë të nisin procedurat për ndërtimit të Monumentit të Pavarësisë, që do të ngrihej në kryeqytet.
Sipas Haradinajt, me ngritjen e këtij monumenti edhe dita e pavarësisë do të shndërrohej në një ditë monumentale.
Shkrimi i plotë i Haradinajt:
“Kosova ta ngre Monumentin e Pavarësisë
Në tokën e Kosovës, ka shumë lapidarë e shtatore, ka shumë varre e përmendore dhe vende që sot janë bërë të shenjta për luftën dhe lirinë dhe kjo është pjesë e historisë sonë të lavdishme që nuk shlyhet kurrë.
Por në përpjekjet shekullore të shqiptarëve që të jenë të lirë e zot në tokën e tyre, ka një datë dhe ka një ditë që është më e madhja në historinë e Kosovës.
Ajo është Dita e Pavarësisë!
Në këtë përvjetor të 15-të të Pavarësisë, propozoj që menjëherë të nisin procedurat e ndërtimit të Monumentit të Pavarësisë, që do të ngrihej në sheshin qendror të Kryeqytetit.
Kjo ditë e madhe të shndërrohet në monumentale!
Rroftë Kosova dhe populli i saj heroik”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.