Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se liria do të jetë e plotë atëherë kur atdheu është i sigurt dhe se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte dhurata më e mirë.
Në kujtim të viktimave të datës 29 mars 1999 në Beleg e Irzniq të Deçanit dhe Poterq të Klinës, Haradinaj tha se regjimi kriminal serb vrau pa mëshirë dhjetëra shqiptarë të paarmatosur, duke mos i kursyer fëmijët dhe pleqtë.
Haradinaj ka shtuar se shumë breza sakrifikuan për liri e çlirim, për fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Po atë ditë, mora lajmin e hidhur për rënien e 14 bashkëluftëtarëve, në një përballje heroike me pushtuesin në Shishman të Bokës. Djem të zotë, luftëtarë të dalluar, një pjesë të të cilëve i njoha në frontet e luftës. Shumë breza sakrifikuan për liri e çlirim, për fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo liri e fituar me shumë dhembje e humbje, do të jetë e plotë atëherë kur Atdheu është i sigurt”, tha ai.
Kreu i AAK-së ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte dhurata më e mirë për brezin e sotëm.
“Kosova në rresht me ushtritë e tjera të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është dhurata më e mirë për brezin e sotëm dhe ata qe vijnë. Është nderimi më i madh që mund të bëjmë për të rënët”, ka përfunduar ai.