UBT News

Haradinaj kërkon nga qeveria që t’i rrisë pagat e tërë sektorit publik

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar sot nga qeveria që t’i rrisë pagat e të gjithë sektorit publik. Sipas tij, nëse vazhdon “fjetja e qeverisë”, Kosova do të humbasë numër të madh të profesionistëve në sektorë të ndjeshëm.

Haradinaj në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës ka kritikuar qeverinë edhe për mospagesën e rrezikshmërisë për policët e Kosovës.

“Ajo çfarë i kisha kërkuar qeverisë sot është që në situatën çfarë jemi, fillimisht të përmbushë detyrat e saj që i ka ndaj të punësuarve në sektorin publik. Për shembull, Qeveria e Kosovës ka kohë që u ka hequr rrezikshmërinë ose nuk ju paguan rrezikshmërinë Policisë së Kosovës. Ndërsa, kur duhet me i dërgua në veri, po shkojnë. Logjika e këtillë, që të mos i përfshijë në rrezikshmëri policin, i cili çdo ditë në çdo kohë e rrezikon jetën e vet dhe të familjes së vet, është e pakuptimtë”, ka deklaruar Haradinaj.

Më tej, Haradinaj ka kërkuar nga qeveria që t’i rrisë pagat e të gjithë sektorit publik, meqë konsideron se pas liberalizimit të vizave do të humbin shumë profesionistë nga sektori publik.

“Deri në qershor kisha kërkuar nga qeveria që të bëjë një plan që buxhetin të paraparë për paga ta rrisë dhe e ka mundësinë me rishikim që të rrisë pagat e gjithë sektorit publik, jo vetëm të një kategorie për të gjithëve. E pse është kaq me rëndësi kjo të ndodhë në qershor? Sikurse e dini me 1 janar e kemi liberalizimin e vizave, nëse ne vazhdojmë me këtë fjetjen tonë çfarë hetohet nga qeveria jonë dhe nuk fillojmë që sot një dinamikë të rritjes së pagave, do të humbim shumë profesionistë dhe atë edhe nga sektori publik, por edhe sektorët e ndjeshëm publik”, ka shtuar ai.

Exit mobile version