Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar për takimin që opozita kishte sonte me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se vizita e ndihmës asistentit të sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin.
“Shfrytëzova rastin të falënderoj Escobar për angazhimin e tij përgjatë gjithë kohës në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA-të, njëkohësisht në angazhimin e tij në procesin e dialogut. Kërkova të ngrihet niveli i marrëdhënieve biletarale Kosovë-SHBA. Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleatin tonë strategjik dhe të përjetshëm, SHBA-të”, ka shkruar Haradinaj.
Krerët e PDK, LDK dhe AAK, kanë mbajtur mbrëmë një takim me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor në Rezidencën e ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier në Prishtinë, pa praninë e mediave.