Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për “Shqipërinë e Madhe”.
Haradinaj që ditë më parë deklaroi se nëse BE nuk e integron Kosovën, si president do të kërkojë bashkimin me Shqipërinë, përmes një postimi në Facebook ka thënë se Vuçiqi nuk ka nëvojë të nervozohet pasi Kosova po kërkon atë që i takon.
Presidenti serb, Vuçiq, e quajti Haradinajn si njeri të rrezikshëm, e ky cilësim e ka shtyrë kreun e AAK-së të reagojë.
“Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë! Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon. Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës. Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!”, ka shkruar ai në Facebook.