Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse partitë opozitare janë të sinqerta në qëndrimin për të rrëzuar Qeverinë Kurti ato duhet ta kujtojnë se rruga e vetme është mocioni i propozuar nga AAK.
Sipas Haradinajt, është shtuar numri i atyre që besojnë se Kurti dhe qeveria e tij janë fatkeqësi për Kosovën.
“Një shumicë kritike pajtohet se është e nevojshme që sa më parë të dilet nga kjo gjendje. Njëra parti kërkon zgjedhje për të ndalur këtë të keqe që po i bëhet vendit, ndërsa partia tjetër është në kërkim të një rruge të re, po ashtu për të dalur nga kjo gjendje”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se AAK e ka ofruar modelin se si të dilet nga situata e krijuar, që sipas tij është mocioni i mosbesimit.
”Në fakt edhe njëra edhe tjetra parti opozitare, po e kërkojnë të njëjtën gjë që e kemi kërkuar edhe ne, por nuk po e shohin mënyrën se si realizohet kjo! Pyetja ime është, si shkohet në zgjedhje, ose si gjendet rruga e tretë për të dalë nga kjo gjendje? A ta presim kryeministrin që ta dorëzojë me vullnet mandatin e tij, gjë e cila duket e pamundshme, apo të presim të ndodhë ndonjë mrekulli vetvetiu? Prandaj partitë tjera opozitare, nëse janë të sinqerta në qëndrimin e tyre se kjo qeveri duhet ndalur me çdo kusht sepse po e shkatërron vendin, atëherë duhet ta kuptojnë se mocioni i propozuar prej nesh, është rruga e vetme, rrjedhimisht edhe ta mbështesin”, ka shkruar Haradinaj.