Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj po qëndron në Tiranë. Ai është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni.
Takimin e ka bërë publik Haradinaj nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Sot në Tiranë një takim vëllazëror me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, sigurinë dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës i ka kërkuar Ramës që në të gjitha nivelet e bisedave me faktorin ndërkombëtar e kombëtar të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova dhe të përshpejtojë integrimin e saj.
“Falënderova përzemërsisht për kujdesin e tij dhe të Shqipërisë në këtë periudhë jo të lehtë që po kalon Kosova”, ka shkruar Haradinaj.