UBT News

Haradinaj e quan buxhetin e vitit 2024 të varfërisë dhe stagnimit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka quajtur buxhet të varfërisë dhe zhgënjimit, buxhetin e vitit 2024, teksa kritikoi edhe përqindjen për investimet kapitale.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se buxheti për vitin e ardhshëm nuk përbën zhvillim ekonomik, por varfëri e stagnim. Ish-kryeministri Haradinaj rritjen e koeficientit e konsideroi të vogël krahasuar me inflacionin.

“Projektbuxheti me parametrat nuk është zhvillimor, por stagnues. Rritja minimale praktikisht është shkurtim i buxhetit, marr parasysh inflacionin që është dhe që do të vijë. Rritja e koeficientit për vitin e ardhshëm nuk është rritje dhe investimet kapitale nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik. Asnjë nga projektet infrastrukturore nuk janë realizuar këtë vit, por janë bartur për vitin e ardhshëm. Fondi i transferove sociale është zvogëluar për 12 për qind që do të thotë se nuk do të ketë rritje për familjet sociale. Ky buxhet është buxhet i varfërisë dhe i stagnimit”, deklaroi ai.

Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, tha se shumë projekte janë bartur në vitin e ardhshëm dhe kjo është dështim i Qeverisë.

“Siç e dini buxhetit për vitin 2024 është 3 miliardë dhe e ka ndryshuar strukturën dhe ato projekte që kanë qenë, janë bartur për vitin 2024 dhe këtu është dështimi i Qeverisë Kurti”.

“Kjo ka ndikuar në ngecje të zhvillimit ekonomik dhe shumica e buxhetit ka shkuar në skema sociale dhe në subvencione. Nëse kanë premtuar në sigurime shëndetësore, pozicioni në këtë drejtim është zero”, u shpreh Lekaj, teksa kritikoi edhe premtimin për ndërtimin e çerdheve dhe banimin kolektiv të çifteve.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se buxheti për vitin 2024, do të jetë “buxhet i mashtrimit të numrave dhe i kamufluar që prodhon varfëri dhe zhgënjim”.

E kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, deklaroi se rritja e koeficientit të paga, është zhgënjyese pasi paga rritet vetëm 29 euro.

“Qeveria Kurti duke mos dashur të përballet me zërin tonë dhe duke e quajtur hallim me partitë, ata na etiketojnë se po na dirigjojnë opozita. Buxheti për vitin 2024 është shokues për neve. Është ironike dhe këmbëngulëse dhe me ngritjen e koeficientit prej 110 euro, ngritja e pagës për mësimdhënësit do të jetë 28 apo 29 euro dhe nuk na mbet tjetër veçse të qajmë hallin dhe do të kërkojmë nga deputetët që mos po dëshiron Zoti që të ndërrojnë mendje dhe ta ngrisin koeficientin”, u shpreh Jashari.

Kritika për buxhetin e vitit 2024 pati edhe kryetari i Sindikatës së Sektori Privat, Jusuf Azemi. Tha se as këtë vit nuk do të kenë kontratë kolektive.

Exit mobile version