Në prag të 28 Nëntorit, i pari i AAK-së Ramush Haradinaj zhvilloi homazhe në Prekaz, në Kompleksin Memorial të familjes Jashari.
Nëntori shënon Pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — ngjarje që përbëjnë themelet e identitetit dhe lirisë së shqiptarëve.
Haradinaj tha se vizita e sotme nuk është vetëm akt nderimi për veprën dhe sakrificën sublime të heronjve dhe dëshmorëve, por edhe një mesazh zotimi dhe vazhdimësie.
“Sot, më shumë se kurrë, vizita jonë ka mesazhin e betimit se ne mbetemi garant dhe mbrojtës të lirisë dhe pavarësisë sonë. Ne, bashkë me partnerët tanë, e kemi fituar luftën dhe bashkë me ta do ta bëjmë Kosovën euroatlantike dhe të zhvilluar”, deklaroi Haradinaj.
Ai shtoi se sakrifica e heronjve dhe dëshmorëve është themeli mbi të cilin qëndron shteti i Kosovës dhe aspiratat e saj për integrim euroatlantik.
“Lavdi heronjve dhe dëshmorëve! Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!”, u shpreh Haradinaj gjatë homazheve në Prekaz./KP
