Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta ruajnë si sytë e ballit.
Haradinaj në 27 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, tha se nuk do të amnistohen ata që dobësojnë aleancën me ShBA-në dhe NATO-n, derisa tha se të njëjtit që e bëjnë një gjë të tillë “nuk janë tanët”.
Sipas tij, kush vetë-lavdërohet dhe harron ndihmën e ShBA-së “nuk është me këtë popull dhe këtë vend”.
“Ditë më të mirë dhe më të madhe shqiptarët nuk kanë përjetuar në historinë e vet, sesa 24 mars 1999. Në atë kohë NATO e prirë nga Amerika hyni në luftë dhe sulmoi armikun tonë, forcat e Millosheviqit, duke bombarduar atë në vend luftime që neve na krijoi epërsi por edhe në Beograd. Kjo është e vërteta e historisë sonë. Na ka pa zoti atë ditë se pa atë ditë do të kishim vështirë me mbërri këtë që e gëzojmë sot. Këtë s’po e thotë dikush që e ka pa nga larg luftën, por dikush që asnjë ditë të luftës se ka lëshu vend luftimin. Ka pa njerëz t’u luftu dhe duke rënë dëshmorë. Unë e di sa trima jemi ne shqiptarët, kam qëndru me trimat, por është mallkim nëse ne vet lavdërohem e harrojmë ndihmën e Amerikës, atyre që na kanë dhënë kur jeta jonë ka qenë rrezik. Është mallkim me ia rreh krahët njëri-tjetrit me thënë se s’kemi nevojë për askënd se ne vet e ruajmë vetën dhe lirinë, kufirin dhe mbrojmë veriun. Ne kemi bërë krejt deri në fishekun e fundit, por për me mbrojt vendin ne e kemi jetike aleancën me Amerikën. Kush mburret dhe vetë lavdërohet dhe kush kujton se është shumë i zoti ta dini se nuk është me këtë vend dhe këtë popull…Kush e donë këtë tokë, vend dhe fëmijë duhet ta ruaj si sytë e ballit aleancën me Amerikën dhe NATO-n. Duhet ta ruaj si ditën e 24 marsit 1999….Asnjëherë nuk do të amnistojmë ata që dobësojmë fuqinë tonë të brendshme dhe aleancat tona. Kushdo qofshin dhe çfarëdo detyrë që kanë. Ata që dobësojnë aleancën me Amerikën nuk janë tonët”, tha ai.
Haradinaj i cili ka qenë komandat i zonës operative të Dukagjinit tregoi detaje të luftimeve të 27 viteve më parë në Gllogjan.
“Lufta e tyre(familjes Jashari) sakrifica e tyre deri në flijim të të gjithëve atyre që ishin na largoi dilemat dhe nuk na la zgjidhje tjetër që të luftojmë edhe ne deri në fishekun e fundit dhe njeriun e fundit. S’kishim rrugë tjetër, duke ditur se do të përballemi së shpejti po me atë forcë që sulmoi Jasharajt ne kishim një strategji, ku ndryshuam strategjinë e luftës. Ne e bëmë një plan taktik të kundërpërgjigjes por jo statike. Ishim të sulmuar në shtëpinë tonë, Dauti ishte i pari që u përballë me ata. Menjëherë me hapjen e luftës frontale, forcat serbe në vijën e parë të zjarrit sjelljen mjete të motorizuara, topa 20 milimetra dhe po ashtu mbështetje nga ajri. Kundërpërgjigja jonë planin e kishte përballja e parë në shtëpi. Për një periudhë prej 2 orëve kemi rezistuar në shtëpi, pastaj kemi marrë vendim me u nda në dy grupe. Nana me fëmijët me marrë një drejtim për me ikë nga vend-luftimi, ndërsa motra e madhe, Hilmia, Shkelzeni, Dauti, Frashëri dhe Enveri kemi vazhdu bashkë”, shtoi ai.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se Prekazi dhe Gllogjani kanë nisur historinë për lirinë e Kosovës.
“Prekazi dhe Gllogjani janë të lidhur ndërmjet veti në mënyrën më të jashtëzakonshme, pasi e kanë nisur historinë të re dhe lirinë tonë….Kryetar Haradinaj, komandat, për shkak se s’jeni dorëzuar dhe keni jetu për me luftu edhe më tutje i gjithë populli i Kosovës ka marrë zemër, është gjallë dhe ka besu se munden me bërë diçka. Ky është mesazhi i kësaj epopeje”, shtoi Gjini.
Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga Forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj