Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që qysh sot të përfillë këshillat e sekretarit amerikan, Antony Blinken dhe të gjithë aleatëve për rikthimin e normalitetit në veri.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se zhvillimet po hyjnë në një fazë të rrezikshme dhe se koha nuk pret.
“Kjo nënkupton largimin e menjëhershëm të njësive speciale nga objektet e komunave në veri dhe ajo të vazhdojë më detyrat e veta ligjore për ruajtjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit; që kryetarët e komunave nga zgjedhjet e fundit atje, menjëherë të japin dorëheqje; të shpallen zgjedhjet e lira në këto katër komuna, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjithëve, pa kushte e me garanca ndërkombëtare; që kryeministri Kurti t’i kthehet implementimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, kjo në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.