EULEX-i ka bërë me dije se qëndrimi i BE-së për hapjen e Urës së Ibrit është një çështje dialogu dhe se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret brenda kornizës së dialogut.
Diskutimet sipas EULEX-it janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë.
Andaj sipas EULEX-it, BE-ja u kërkon të gjitha palëve të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.
Për të kuptuar ndjeshmërinë e situatës, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it po kryen patrullime të rregullta mobile të zbulimit në baza 24/7, duke përfshirë – por pa u kufizuar në – afërsinë e urës.
EULEX-i ka thënë se po kryen patrullat e veta të zbulimit në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, në përputhje me mekanizmin reagues të sigurisë me tre nivele të Kosovës, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë.
“Siguria e të gjitha komuniteteve në Kosovë mbetet prioriteti ynë i parë. EULEX-i mbetet vigjilent dhe, në përputhje me mekanizmin e lartëpërmendur të reagimit të sigurisë të Kosovës, është i gatshëm të mbështesë Policinë e Kosovës nëse kërkohet dhe është e nevojshme për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e rendit dhe sigurisë publike në rastet e trazirave civile”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Ditëve të fundit ka pasur qëndrime të ndryshme të ndërkombëtarëve dhe qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit.
Së fundi emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se çështja e Urës së Ibrit duhet të diskutohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ndërsa tha se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit janë çorientuese.
Derisa të mërkurën zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por sipas tij është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016./UBTNews/