Departamenti i Shtetit ka thënë se ShBA-ja nuk do të hezitojë të bëjë çfarëdo që është e nevojshme që të mbrojë personelin dhe popullin amerikan në Kosovë.
Këto komente u bënë nga zëvendës zëdhënësi kryesor i DASh-it, Vedant Patel, gjatë një konference të djeshme për media.
“Nuk do të hezitojmë të bëjmë çfarëdo që është e nevojshme të sigurohemi që personeli amerikan dhe njerëzit tanë janë të mbrojtur”, ka thënë Patel.
Ky reagim vjen në dritë të idesë për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë nga Qeveria e Kosovës.
Kjo ide nuk ka hasur në mbështetje nga faktori ndërkombëtar. ShBA-ja, BE-ja e vende tjera aleate të Kosovës i kanë kërkuar qeverisë që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në rast të ndërmarrjes së një veprimi të tillë, mund të rrezikohet jeta e ushtarëve amerikanë në kuadër të KFOR-it.
Ky i fundit e ka lutur qeverinë që të mos vazhdojë me këtë ide në këtë kohë.
Qeveria ndërkaq ka thënë se ura duhet të hapet dhe se e njëjta nuk paraqet rrezik për askënd në Kosovë./UBTNews/