Në sheshin “Zahir Pajazi” në Prishtinë, sot është hapur një zyrë e re e Postës së Kosovës, e 145- ta me radhë. Në hapje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Madje shefi i ekzekutivit, Kurti këtë pikë e shfrytëzoi edhe për dërgimin e një kartoline.
Kryeministri, Kurti deklaroi se Posta e Kosovës po ngritët duke ofruar shërbime cilësore, të shpejta e më të lira.
“Pika e 145 në Republikën e Kosovës e njëkohësisht edhe pika më e mirë në kryeqytetin e Republikës në Prishtinë. Nëse dikush ka pasur dilema se cili është vendi më i mirë në Prishtinë, është pikërisht pika e re e Postës së Kosovës….Posta e Kosovës është duke u ngritur duke i bërë shërbimet më cilësore e më të shpejta e më të lira e duke qenë gjithherë pranë qytetarëve tanë pa dallim”, theksoi Kurti.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se në Kosovë tashmë ka një menaxhim më të mirë dhe përkrahje më të mëdha nga qeveria për ndërmarrjet publike.
Rizvanolli theksoi se me investimet që duken të vogla po rritet motivi i punonjësve në këto ndërmarrje.
“Posta ka qenë duke funksionuar me furgon që kanë pas deri në 1 milion km të kaluara që puna e tyre ka qenë shumë e vështirë, prandaj jam shumë e lumtur që ata kanë vozitje më të sigurt por edhe mund të kryejnë shërbime më lehtë dhe më shpejt për qytetarët… Me ndryshime që në dukje mund të duken të vogla, por janë shumë të mëdha për përmirësimin e shërbimit dhe janë shumë të mëdha edhe për punëtorët dhe motivimin e tyre dhe shoh secilën herë në secilën ngjarje ka një motivim m ë të madh të punonjësve dhe ka kushte më të mira për punëtorët….Ndërmarrjet tona publike jemi mësuar t’i shohim si objekt të zhvatjes dhe keqpërdorimit dhe njëfarë mënyre të krijojmë njëfarë averzioni ndaj tyre, mirëpo gjatë kësaj kohe kanë qenë punëtorët qoftë postierët në Postë, qoftë inxhinierët në Telekom, minatorët në Trepccë që në fakt e kanë kryer punën e tyre me nder dhe mirë pavarësisht vështirësive. Dallimi është tash se ka një menaxhim më të mirë dhe ka një përkrahje shumë më të madhe nga qeveria. Jemi në një rrugë ku nuk ka kthim prapa dhe ku do t’I kemi gjithnjë edhe më të forta këto ndërmarrje”, theksoi ai.
Kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Raci u shpreh se kjo zyrë postare është shembulli më i mirë i një bashkëpunimi ndër institucional.
Raci theksoi se në këtë zyrë ofrohen të gjitha shërbimet postare por edhe ato financiare jo bankare.
“Kjo zyrë sot ofron të gjitha shërbimet postare, po ashtu ofron edhe shërbimet financiare jo bankare për të gjithë qytetarët e Kosovës. Besojmë që është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndër institucional, sepse për hapjen e kësaj zyre jemi shumë mirënjohës Ministrisë së Ekonomisë, por edhe ndërmarrje publike KEK që na ka mundësuar hapjen e kësaj zyre”, u shpreh ajo.
Posta e Kosovës së fundmi ka hapur edhe pikën e saj postare edhe në pjesën veriore të Kosovës.