Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur thirrjen për aplikim për bursën e mobilitetit, përmes së cilës synon t’i mbështesë financiarisht studentët në mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit nga vendbanimi deri në institucionin e arsimit të lartë.
Sipas njoftimit të MASH-it, mbështetja financiare do të përcaktohet në bazë të distancës ndërmjet vendbanimit të studentit dhe institucionit ku ai studion.
Pagesa mujore do të jetë 30 euro për distancat deri në 20 kilometra, 50 euro për distancat nga 21 deri në 50 kilometra dhe 70 euro për distancat mbi 50 kilometra.
Të drejtë aplikimi kanë studentët e rregullt të nivelit Bachelor, që studiojnë në institucione publike dhe private të akredituara në Kosovë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në thirrje.
Aplikimi do të bëhet online përmes platformës e-Kosova, ndërsa afati për aplikim është i hapur deri më 10 dhjetor.
Sipas ministrisë, përfituesit do t’i marrin mjetet financiare në baza tremujore, përmes transferimit në llogaritë e tyre personale bankare./A.K/
