Është hapur ekspozita e projekteve të përzgjedhura për sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë. Pesë projektet më të mira do të ekspozohen për një javë në hapësirat e komunës së Prishtinës.
Monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës kombëtare.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama derisa ka treguar më shumë për projektin, ka ftuar qytetarët që të vijnë dhe të shohin nga afër këto projekte, e po ashtu edhe të votojnë se cili ju duket më i miri.
“Këtu kemi pesë projekte të cilat janë si më të mirat, ekspozohen në hapësirat e komunës të Prishtinës. Ftoj edhe qytetarët tjerë të marrin pjesë në këtë ekspozitë, është interesante me disa propozime shumë domethënëse, për Adem Jasharin, familjen Jashari, për sakrificën që kanë dhënë për lirinë, demokracinë që gëzojmë sot. Prandaj, ju ftoj të gjithëve që ditëve në vijim të vizitoni e po ashtu të votoni, kemi dëshirë të marrim informata edhe nga ju se cili prej këtyre projekteve ju duket më i miri. Kjo është fazë me rendësi shumë të madhe për proces ku edhe zotohemi që në të ardhmen e afërt të transferojmë këtë projekt në realitet në një pjesë të kryeqytetit. Kemi qenë në komunikim edhe me familjen Jashari. Ashtu edhe siç kemi premtuar, që heroi ynë kombëtar, Adem Jashari tash në të ardhmen e afërt do të ketë edhe vendin e vet në kryeqytet”, tha Rama.
Ndërsa vërejtje pati nga asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Granit Geci. Derisa ka pyetur për qëndrimin e familjes Jashari për këto projekte, ai ka thënë se sot e udhës do të kishte qenë që të ketë festë publike, e po ashtu edhe më shumë qytetarë që vizitojnë projektet.
“Kam një vërejtje, këtu nuk po shoh qytetarë. Pjesa kryesisht janë media dhe bashkëpunëtor të juaj dhe tanët në komunë. Kisha menduar që sot kish me qenë shumë e udhës që të ketë festë publike për ditën e sotme të ketë festë publike gjë që nuk e kanë parë. Duke ditë rëndësinë e këtij projekti, e dini që e keni përkrahjen e plotë të të gjitha grupeve politike në Kuvend, kam vetëm një pyetje, cili është qëndrimi i përfaqësueseve të familjes Jashari në këtë projekt? Me sa kam dëgjuar ka pasur vërejtje të tyre sa i përket procesit, mirëpo, normalisht jo duke mos e vlerësuar gatishmërinë e juaj, ata e vlerësojnë, mirëpo sa i përket procesit, transparencës”, tha ai.
Për këtë, Rama tha se procesi ka qenë shumë transparent.
“Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për një javë, por nëse ka nevojë e vazhdojmë më shumë, dhe ftojmë gjithë qytetarët të na vizitojnë dhe të jenë pjesë e këtij procesi…Edhe procesi ka qenë super transparent në aspektin që është bërë thirrje e hapur gjithë pjesëtarëve këtu në vend, në këtë proces edhe së bashku me reprezantuesin e familjes Jashari i kemi përzgjedh këto pesë, do t’i bëjmë publik të gjitha aplikacionet”, tha Rama.