Është hapur edicioni i 24-t i Panairit të Librit në Prishtinë. Tema e sivjetme është “Përgjigjja është libri”, ndërsa do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00 deri në orën 21:00 të dielën kur përfundon ky edicion.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka deklaruar se në panair pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.
Ai ka thënë se janë rreth dy mijë tituj të rinj. Zeneli ka shprehur pritjet që Panairin ta vizitojnë rreth 40 mijë vizitorë.
“Sot puna e netëve të vona e redaktorëve e mundi i madh i botuesve është materializuar në mjetin magjik të quajtur libër afrohet te lexuesi. Falënderoj përkrahësit e panairit MKRS-në, MAShTI-n, sot ndihmohen botuesit e shkrimtarët. Falënderoj botuesit që punojnë për të formuar njerëzit e shoqërinë, uroj që ky panair të jetë festë për ju dhe ne”, tha Zeneli.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, e konsideroi kënaqësi me pa numrin e lexuesve dhe librat e rinj që tashmë janë shtuar në këtë panair.
“Përgëzime për ekipin e panairit, ta gëzojnë dhe shijojmë panairin”, tha Çeku.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përgëzoi për moton e panairit të këtij viti, duke shtuar se është pozitive shtimi i numrit të librave për përmirësim në arsim.
Drejtoresha e Kulturës në Kryeqytet, Sibel Halimi, tha se panairi i librit është një simbol i përpjekjeve tona të përbashkëta për të krijuar mendime të reja, ku kulturat na bashkohen.
“Është një mundësi për të mbështetur talentet e rinj ta shfrytëzojmë këtë moment për të lexuar më shumë dhe ndarë njohuritë tona”, tha Halimi.