Ministria e Ekonomisë (ME) njofton ndërmarrjet publike qendrore dhe lokale se mund të aplikojnë për të përfituar nga mbështetja ekonomike.
Sipas Pakos së Ringjalljes Ekonomike për vitin 2021, masa 4.6 “Mbështetja e ndërmarrjeve publike prej 30 milionë Eurove”, do të përfitojnë ndërmarrjet publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës pandemike COVID-19. Me qëllim të sigurimit të likuiditetit për të përballuar shpenzimet operative, ndërmarrjeve publike u ofrohet huamarrje me kthim pa interes. Nga kjo masë për ndërmarrjet publike janë alokuar gjithsej 20 milionë euro në total (transhi i dytë).
Programi është i dizajnuar t’i ndihmojë ndërmarrjet publike qendrore dhe lokale që ofrojnë shërbime e që janë prekur nga pasojat e pandemisë.
Aplikimi bëhet në mënyrë fizike në Arkivin e ME-së, përkatësisht në Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NJPMPN). Afati i aplikimit është deri në fund të tetorit 2021.