UBT News

Hapet Akademia Verore “BioMedTech 2025” në UBT: Inovacione dhe teknologji të avancuara në Biokimi Mjekësore

Në ambientet e Kampusit të UBT-së në Lipjan u hap zyrtarisht Akademia Verore: BioMedTech 2025, një aktivitet multidisiplinar në kuadër të Akademisë Verore të UBT-së dhe ngjarjes madhore Global UBT Fest 2024, që po shënon një platformë ndërkombëtare për shkëmbim dijesh dhe përvojash inovative.

Kjo shkollë verore e dedikuar Biokimisë Mjekësore dhe Teknologjive të Aplikuara në Mjekësi, mblodhi studiues, profesionistë të fushës, studentë dhe të rinj të pasionuar pas kërkimit shkencor dhe zhvillimeve më të fundit në shkencat biomjekësore.

Në fjalën hyrëse, Fisnik Laha, Dekan i Fakultetit Biokimi Mjekësore në UBT, theksoi rëndësinë e integrimit të biokimisë mjekësore me teknologjitë e reja, si dhe rolin e UBT-së në avancimin e praktikave laboratorike dhe të kërkimit shkencor në shëndetësi. Ai vuri në pah përkushtimin e institucionit për të ofruar edukim të përparuar dhe bashkëkohor në këtë fushë.

Programi i ditës vazhdoi me një seri prezantimesh nga profesionistë të fushës:

Dr. Armend Cana foli për Zoonozat – sëmundjet që transmetohen nga kafshët te njeriu, duke trajtuar sfidat aktuale të shëndetit publik në kontekstin e globalizimit dhe ndryshimeve klimatike.

Fisnik Laha prezantoi rëndësinë e standardit ndërkombëtar ISO 15189:2022 si një mjet strategjik për menaxhimin e cilësisë në laboratorët mjekësorë, me fokus në kompetencë, siguri dhe minimizim të rrezikut.

Demokrat Nuha trajtoi një temë kërkimore me potencial të lartë klinik, duke folur për zhvillimin dhe vlerësimin biologjik të derivateve tiazol-piridinë si terapi të synuar kundër kancerit të mushkërive, një sëmundje me prevalencë të lartë globale.

Dr. Lulzim Thaqi prezantoi studimin mbi potencialin terapeutik të gazit radon në praktikën mjekësore, një temë e debatueshme por inovative në terapitë alternative.

Në vazhdim, Dr. Zafer Gashi solli në vëmendje rezultatet e një studimi të rëndësishëm mbi vlerat e ferritinës në serum tek gratë me kancer të gjirit, duke e ndërlidhur me diagnostikimin dhe ecurinë klinike të pacientëve.

Në fund të sesioneve, pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin pjesë në një forum pyetjesh dhe diskutimesh të udhëhequr nga Demokrat Nuha, ku u trajtuan dilema shkencore, u ndanë përvoja profesionale dhe u diskutuan tendencat e ardhshme të kërkimit në biokimi dhe mjekësi.

Shkolla Verore “BioMedTech 2025” synon të shndërrohet në një traditë të përvitshme për studentët dhe profesionistët që dëshirojnë të thellojnë njohuritë në biokimi, bioteknologji dhe mjekësi laboratorike, duke krijuar ura bashkëpunimi me tregun e punës dhe industrinë e shëndetit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Exit mobile version